“Hungarissimo” është një festival që synon të bashkojë Shqipërinë dhe Hungarinë nëpërmjet artit dhe kulturës, të nxisë mirëkuptimin mes dy popujve, të promovojë shkëmbimet kulturore dhe të ndërtojë ura bashkëpunimi për artistët e rinj dhe të afirmuar.
Festivali promovon kulturën shqiptare dhe hungareze dhe aksesin në krijimtarinë bashkëkohore, në kuadrin e mundësive dhe angazhimeve në rritje ndërmjet Shqipërisë dhe Hungarisë, – si në marrëdhëniet diplomatike, ashtu edhe në lidhjet mes njerëzve – ku ndërthuren muzika, artet vizuale dhe ato të performancës, inovacioni, kulinaria, si edhe letërsia e publicistika. Ky vit përkon me 100 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Hungarisë dhe rrjedhimisht eventi do të celebrojë në mënyrë të posaçme këtë përvjetor historik.
“Hungarissimo” vjen në vazhdën e javëve kulturore ndërkombëtare të organizuara nga Kryeministria e Republikës së Shqipërisë në partneritet me Ministrinë e Kulturës. Njëkohësisht eventi realizohet në bashkëpunim me Ambasadën e Hungarisë në Tiranë.